HYRJE
“Jeta nuk është asnjëherë e drejtë, por ndoshta është diçka e mirë për shumicën prej nesh që nuk është”.
– Oscar Wilde
Dëshira e njeriut për drejtësi nuk e bën njeriun të drejtë dhe as nuk tregon se njeriu e di se çfarë është e drejtë. Natyra jonë egoiste na kushtëzon të gjykojmë në mënyrë të njëanshme çfarë konsiderojmë të drejtë apo të padrejtë.
Pavarësisht dëshirës për drejtësi, njeriu mëkatar nuk është në gjendje t’i trajtojë të tjerët barazisht, pa anësi apo pa diskriminim. Njeriu në gjendjen e vet të natyrshme është i paaftë për të vepruar në bazë të një standardi moral të drejtë dhe të paanshëm. Bibla thotë: “Nuk ka mbi tokë asnjeri që bën mirë e nuk mëkaton” (Kuvendari 7:20).
Nga ana tjetër, Bibla na mëson se vetëm Perëndia është plotësisht i drejtë. “Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate” (Psalmet 89:14). Drejtësia është në natyrën e Perëndisë; drejtësia është pjesë e karakterit të tij. Si i tillë, Perëndia nuk mund të jetë i padrejtë. Perëndia përkufizon dhe përcakton standardin e drejtësisë.
Në pasazhin që do të shqyrtojmë sot Jezui u mëson ndjekësve të tij standardin e drejtësisë së Mbretërisë që ndryshon nga kuptimi i tyre njerëzor për drejtësinë.
Drejtësia e Mbretërise
TEKSTI BIBLIK
1 «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë, që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet.
2 Pasi u mor vesh me punëtorët që t’i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.
3 Kur doli rreth orës nëntë, pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu
4 dhe u tha: “Shkoni edhe ju në vresht dhe do t’ju jap aq sa është e drejtë.”
5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë dhe rreth orës tre.
6 Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin dhe u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”.
7 Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë.” Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht.”
8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët dhe jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri tek i pari.”
9 Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar.
10 Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar.
11 Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë
12 dhe i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës dhe të nxehtin.”
13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar?
14 Merr atë që të takon e shko. Unë do t’i jap këtij të fundit sa ty.
15 A nuk më lejohet mua të bëj çfarë dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit» (Mateu 20:1-16).
Konteksti Historik
Në pjesën e fundit të Mateut 19, Jezui i paralajmëroi ndjekësit e tij për rrezikun e rendjes pas parasë dhe vështirësinë e pasanikëve për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë. Ata u befasuan dhe i bënë pyetje për sqarime të mëtejshme.
Ka të ngjarë që Jezui të ketë pikasur ndonjë motiv të fshehtë në pyetjen e Pjetrit: “Ja, ne lamë gjithçka dhe erdhëm pas teje. Po me ne ç’do të bëhet?” (Mateu 19:27). Jezui e siguroi Pjetrin dhe ndjekësit e tjerë për shpërblimet bujare që do të merrnin dhe shtoi: “Por shumë nga ata që janë të parët do të jenë të fundit dhe të fundit do të jenë të parët” (Mateu 19:30).
Shëmbëlltyra që po shqyrtojmë sot duket se shërben për të hedhur më shumë dritë mbi këtë thënie të ndërlikuar që të parët i çon në fund dhe të fundit i nxjerr të parët.
PROPOZIMI QENDROR
PERËNDIA NA SHPËRBLEN NË MËNYRË TË DREJTË, TË HIRSHME DHE SOVRANE PËR SHËRBIMIN TONË NË MBRETËRINË E KRISHTIT.
I. Shpërblimi Për Shërbimin Në Mbretëri Reflekton Drejtësinë e Perëndisë – v. 1-2, 10-14a.
Punëdhënësi në këtë shëmbëlltyrë kërkon punëtorë për vreshtin e tij. Ai merret vesh me punëtorët për pagën dhe pastaj i punëson. Është me rëndësi të vërejmë se punëtorët e parë kanë rënë dakord për pagën para se të fillonin punën (v. 1-2).
Kur erdhi koha e pagesës, ata morën pagën për të cilën kishin rënë dakord. Në vend që të gëzoheshin dhe të ishin mirënjohës për shpërblimin për punën e ryre, ata u ankuan. Është me rëndësi të vërejmë se ankesa e tyre nuk është pse morën pagën për të cilën kishin rënë dakord, por u ankuan pse punëtorët e tjerë morën të njëjtin shpërblim (v. 10-12).
Kjo shëmbëlltyrë ngjan me historinë e djalit plangprishës. Ndryshimi është se ne simpatizohemi me dhembshurinë e atit ndaj të birit në atë histori, por nuk pajtohemi me bujarinë e punëdhënësit ndaj atyre që morën të njëjtin shpërblim sa punëtorët e parë në këtë histori.
Kjo ndodh për shkak të ngushtësisë së zemrës tonë ndaj të tjerëve. Në egoizmin tonë nuk mund t’i shohim të tjerët të jenë aq mirë apo më mirë se ne. Në këtë shëmbëlltyrë ne jemi si vëllai i madh i shëmbëlltyrës tjetër. Por punëdhënësi në këtë rast është i njëjti at’ i drejtë, i mirë, i dhembshur dhe i dashur i historisë me dy bijtë.
Punëdhënësi korrigjon gjykimin tonë të gabuar për drejtësinë, v. 13-14a: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? Merr atë që të takon e shko!”
Perëndia është i drejtë. Perëndia gjithmonë na jep atë që na takon. Ai kurrë nuk i hyn në hak askujt. Ai na do të gjithëve njësoj. Shpërblimi i tij për ata që ka kërkuar, ka thirrur dhe i ka birësuar në Mbretërinë e tij është i njëjtë. Të gjithë ata që i shërbejnë Perëndisë marrin jetën e përjetshme. Të gjithë gëzojnë të njëjtin shpëtim. Kjo është drejtësi.
Njësoj është drejtësi kur Perëndia i ndëshkon të gjithë ata që nuk i besojnë dhe nuk i binden atij. Dënimi i tyre do të jetë i njëjtë për të gjithë. Askush nuk do të mundet të ankohet për padrejtësi nga ana e Perëndisë në ditën e gjykimit prej tij.
Sepse ne jemi të padrejtë, sepse të tjerët tregohen të padrejtë ndaj nesh, ne kemi standardin tonë të shtrembëruar për drejtësinë që Jezusi qorton në këtë shëmbëlltyrë.
II. Shpërblimi Për Shërbimin Në Mbretëri Reflekton Hirin e Perëndisë – v. 3-9.
Punëdhënësi në këtë histori jo vetëm që është përsosmërisht i drejtë, por është edhe tejet bujar, jashtëzakonisht i hirshëm. Mirësia e tij shfaqet në punësimin e të gjithë atyre që duan të punojnë. Ai del në kohë të ndryshme për të kërkuar punëtorë për vreshtin e tij. Ai merr në punë të gjithë ata që kërkojnë punë. Ai madje punëson deri në orën e fundit (v. 3-7).
Shpërblimi i tij për shërbimin reflekton mirësinë dhe hirin e tij. Atyre që punësoi pas punëtorëve të parë ai thjesht u premtoi një shpërblim të drejtë. Por është më se e dukshme se shpërblimi i tyre ishte i drejtë dhe i hirshëm. Këta shërbyen në vresht pa bërë pazar për rrogën.
Imagjinoni gëzimin e këtyre punëtorëve të fundit kur u thirrën të parët për të marrë shpërblimin e shërbimit të tyre! Çfarë kontrasti me pezmatimin e punëtorëve të parë që u shpërblyen të fundit! Dhe pse u pezmatuan këta? Sepse nuk mund të gëzoheshin për hirin dhe mirësinë e punëdhënësit ndaj të tjerëve. Ata u pezmatuan dhe u zhgënjyen pa të drejtë për shkak të egoizmit të tyre.
Punëdhënësi i drejtë dhe i hirshëm i qorton punëtorët e parë që nuk gëzojnë për shpërblimin e tyre, por mërziten për shpërblimin e të tjerëve. Ata ende nuk kanë mësuar të kënaqen me atë që kanë. Ata ende nuk kanë mësuar të gëzohen për të mirën e tjetrit. Ata ende nuk kanë mësuar ta duan tjetrin si veten. Ata ende nuk e kanë kuptuar se në Mbretërinë e Perëndisë tjetri është vëllai i tyre dhe jo rivali i tyre.
Perëndia është shumë i durueshëm dhe i hirshëm. Drejtësia e Perëndisë shoqërohet me hirin dhe mëshirën. Njeriu ende qëndron vetëm për shkak të hirit dhe mëshirës së Perëndisë. Po të ishte vetëm për drejtësinë e Perëndisë, kush do të mund të qëndronte?
III. Shpërblimi Për Shërbimin Në Mbretëri Reflekton Sovranitetin e Perëndisë – v. 14b-16.
Në këtë shëmbëlltyrë reflektohet edhe sovraniteti i Perëndisë në zgjedhjen e atyre që marrin shpërblimin e tij. Perëndia, i mishëruar tek punëdhënësi, është ai që del në kohë të ndryshme për të kërkuar punëtorë për vreshtin e tij. Vreshti simbolizon Mbretërinë e tij. Perëndia është ai që i thërret shërbëtorët e tij dhe i dërgon për t’i shërbyer Mbretërisë së tij.
Perëndia është ai që përcakton radhën e dhënies së shpërblimit. Në sovranitetin e tij Perëndia vendos të fundit në fillim dhe të parët në fund. Ai bën gjithçka për qëllimet e tij. Lum kush mëson dhe pranon vullnetin e tij!
Perëndia do dhe shpërblen me drejtësi dhe me hir. Ai është sovran dhe bën atë që ai do me gjënë e tij. Ai shpërblen në mënyrë sovrane. A nuk i lejohet atij të bëjë si të dojë? Apo ndoshta në ligësinë tonë duam të kontrollojmë edhe Perëndinë? Çfarë marrëzie të kërkojmë t’i japim mend atij që është i gjithëdijshëm!
Njeriu ka nevojë të kuptojë dhe të besojë Perëndinë që është, jo perëndinë që njeriu do të donte të ishte. Perëndia i vërtetë është Perëndia që është: përsosmërisht i drejtë, përsosmërisht i hirshëm dhe përsosmërisht sovran!
PËRFUNDIMI
Mbretëria e Perëndisë është Mbretëri e drejtësisë. Drejtësia hyjnore është e përsosur. Njeriu i padrejtë bëhet i drejtë kur vishet me drejtësinë e Perëndisë që gjendet në Krishtin. Perëndia është i drejtë kur shpëton ata që besojnë në Krishtin sepse mëkati i tyre është shlyer në kryq. Perëndia është i drejtë kur dënon ata që refuzojnë Krishtin sepse mëkati i tyre meriton dënim.
Mbretëria e Perëndisë është Mbretëri e hirit. Shpëtimi është dhuratë e Perëndisë. Shërbimi ynë nuk siguron shpëtimin tonë, por tregon se jemi të shpëtuar.
Mbretëria e Perëndisë është Mbretëri e Perëndisë sovran. Asgjë dhe askush nuk është mbi Perëndinë. Asgjë dhe askush nuk mund të prishë planin e Perëndisë. Perëndia bën atë që do. Ji mirënjohës që Perëndia dëshiron pendimin dhe shpëtimin tënd!
Shëmbëlltyra e punëtorëve të vreshtit na nxit të reflektojmë dhe të ndryshojmë. A është koncepti ynë i drejtësisë në përputhje me standardin e drejtësisë së Perëndisë? A gëzohemi ne kur Perëndia shpërblen dhe bekon në hirin e tij të tjerët si të ishin vëllezërit dhe motrat tona? Sepse në të vërtetë janë! A e pranojmë ne me besim sovranitetin e Perëndisë mbi gjithçka dhe gjithkënd?
Lavdi Perëndisë që është Perëndia që është!
Zef Nikolla