Syri, veshi, hunda, goja, dora, këmba… Për cilën prej tyre të jesh mirënjohës më përpara? Njeriu është krijuar në mënyrë të mrekullueshme dhe me aftësi të jashtëzakonshme në trupin e tij. Ai mund të shikojë, të dëgjojë, të këndojë, të ndërtojë, të vrapojë, të luajë, të shkruajë, të notojë e të përqafojë! Jeta është dhuratë. A je mirënjohës?
Mendo për shkollimin. Sa kanë vuajtur nga padituria në të kaluarën! Nga pikëpamja historike, vetëm një pakicë kanë ditur të shkruajnë e të lexojnë, prandaj është e drejtë të ndihesh mirënjohës që jeton nën dritën e dijes.
Po për paqen? Lufta është një e keqe e pallogaritshme. Lufta të merr çdo gjë. Ka shtete sot që kanë qenë në gjendje lufte prej 10, 20 vjetësh! Nëse ti jeton në një shtet që nuk është në luftë, ji mirënjohës!
A ka njerëz që kujdesen për ty, që të duan dhe të qëndrojnë afër? Përse e marrim të mirëqenë dashurinë e tyre? Tregohu ti mirënjohës sot në familjen tënde dhe shiko se çfarë efekti pozitiv që do të ketë.
A keni për të ngrënë? Darkat në pallatet mbretërore mund të kenë patur një sfond më luksoz, por llojshmëria e frutave dhe e ushqimeve në përgjithësi, për të mos përmendur ëmbëlsirat që ne i hamë sot, ja kalon asaj që hanin mbretërit në kohët e vjetra. Kur është hera e fundit që shfaqe mirënjohje për pjatën që ke përpara? Derrat nuk thonë faleminderit, njeriu po.
Le të mos harrojmë transportin. Ndonëse makinat mund të shkaktojnë aksidente, mundësia për të mbaruar punë shpejt dhe për t’u gjendur kollaj afër atyre që do, nuk është gjë e vogël. Herën tjetër që je për rrugë të gjatë, ji mirënjohës që mund të arrish për një ditë e jo për një muaj.
Mos vallë kemi harruar se sa vuanim për të dërguar ose për të marrë haber në të shkuarën? Apo si humbnim aq kollaj pa ndihmën e pajisjeve digjitale? Sa mirënjohës duhet të jemi që shërbimi telefonik na jep mundësi t’i zgjidhim problemet aq kollaj sot!
Edhe pse ka sëmundje, atë ndihmën mjekësore të thjeshtë që e gjen në çdo spital, brezat e mëparshëm as që e imagjinonin se mund të ekzistonte. Jetonin e vdisnin pa e ditur çfarë është ilaçi. Lum si ne!
Shpesh herë flasim sikur njeriu i paska bërë të gjitha pa ndihmën e Perëndisë. Sa mosmirënjohës që jemi! A nuk do ishte në të drejtën e tij Zoti sikur t’i merrte mbrapshtë të mirat që na ka dhënë? Megjithëse durimi i tij është i madh, kjo nuk do të thotë që ti ke pse të jesh zemërgur. Prandaj, përse të mos thuash tani një ‘faleminderit!’ nga zemra për bekimet që gëzon sot?